Ftesës së kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për të zhvilluar një takim ditën e hënë, për gjetjen e kompromisit për reformën në drejtësi, i janë përgjigjur pozitivisht ambasadorja e BE Romana Vlahutin dhe Donald Lu. Në deklaratën e BE-së thuhet se i gjithë pushteti vendimmarrës tek Vetingu duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.
Po ashtu edhe ambasadori Donald Lu tha se pranon ftesën e kryeparlamentarit Meta për të diskutuar, siç thekson si për propozimin hibrid për reformën në drejtësi.
Pas ftesës së kreut të Kuvendit për diskutime, ambasadori Lu ka informuar Metën se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS.
Ndërsa në deklaratën e plotë e ambasadës së BE-së thuhet: “Ambasadorja e Bashkimit Evropian e informoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid.
Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarres duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.
Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën nënë drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE.
Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencën tonë me anën e po ketij roli edhe në të ardhmen. Megjithatë, është e qartë që përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare”.





