Informacione të reja që mund të ndihmojnë hetuesit të zbulojnë më shumë rreth masakrës së ndodhur në Nice të Francës, janë zbuluar nga forcat antiterror. Sipas mediave franceze në telefonin e terroristit Mohamed Lahouaiej Bouhlel, është gjetur një mesazh ku thuhet: “E mora materialin”.

Ky zbulim mbështet teorinë e hetuesve francezë se një rrjet i fshehtë i lidhur me ISIS-in mund të ketë planifikuar sulmin që u mori jetën 84 njerëzve, shumë prej të cilëve fëmijë.

Por ajo që mbetet ende e paqartë është nëse “materiali” janë armët që u gjetën në kamion apo diçka tjetër.

Hetuesit francezë thonë se në ditët e mëparshme, 31-vjeçari Bouhlel kishte kaluar dy herë me kamion në zonën ku kreu sulmin.

Duket se ai e ka vëzhguar mirë zonën, duke e testuar me mjetin me të cilin do të kryente masakrën mbrëmjen e 14 korrikut.

Pas sulmit, hetuesit gjetën në telefonin e tij mesazhin dalës. Ekspertët e hetimeve thonë se po gjurmojnë numrin e marrësit të mesazhit si dhe po analizojnë kompjuterin e Bouhlel për të zbuluar nëse ai ka komunikuar me të tjerë para ngjarjes.