Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” me mbështetjen e National Endowment for Democracy ka zhvilluar në ambientet e prefekturës Durrës, një tryezë të rrumbullakët me temë "Ndryshimi i dialogut në media", për të diskutuar për pabarazinë gjinore. Prezente në këtë aktivitet kanë qenë gra dhe vajza eksperte, përfaqësues të medias dhe aktorë të tjerë lokalë, të cilët kanë patur interes rreth çështjes së përfaqësimit të barabartë të femrave.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi rreth diskriminimit gjinor në Shqipëri dhe ndërtimi i urave lidhëse midis grave e vajzave ekperte dhe medias.
Sipas monitorimit të çështjeve gjinore dhe medias në Shqipëri, të prezantuar nga Edlira Çepani, të realizuar në shkallë lokale dhe kombëtare për Televizionet, gazetat dhe media online, duke u bazuar tek burimet, të ftuarit, prezantuesit dhe temat, rezultoi se femrat zënë një përqindje shumë të vogël në sferën politike, sociale dhe edhe më të vogël në sport.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe prefekti i Qarkut Durrës i cili rrëfeu se një gjë e tillë nuk ndodh në prefekturë, ku rreth gjysma e punonjëseve janë gra.
Në fund të aktivitetit përfaqësuesit e mediave nënshkruan Kodin Etik për Raportimin e Ndjeshëm Gjinor për Median gjatë zhvillimit të tryezës së rrumbullakët.





