Sheshi përpara doganës është mbushur këtë javë me makineri, si vinça, skrrepa, e mjete të tjera të specializuara për gërmimet që pritet të nisin. Fakt i padiskutueshëm është që të gjitha makineritë për herë të parë vihen në punë nga kjo kompani. Janë makineri të prodhuara nga fabrika e markës “VOLVO”, që kishin mbushur terminalin e një pjesë ishin duke u transportuar për në vendqëndrimin e tyre.
Gjatë kësaj jave në portin e Durrësit u përpunua anija “HC Pauline”, nga e cila u shkarkuan 1.252 tonë makineri dhe automjete të ndryshme për realizimin e projektit të Gazsjellësit TAP në vendin tonë. Anija “HC Pauline” solli mjete të rënda, automjete të llojeve të ndryshme, si dhe mjete të specializuara që do të shfrytëzohen në kantieret e zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm në vendin tonë.
Që nga fillimi i muajit prill të këtij viti, në portin e Durrësit janë përpunuar 6 anije tregtare, me rreth 62.500 tonë tuba çeliku. Gjithashtu janë përpunuar edhe anijet “Morgenstond I” me 1.154 tonë makineri dhe anija Ro-Ro “Fides”, e cila ka sjellë 1430 tonë makineri për të njëjtin projekt.
Të gjitha makineritë dhe tubat e çelikut me një sasi të përgjithshme prej 65.114 tonësh janë shkarkuar në kalatat e portit të Durrësit.
Ky proces ka nisur më 4 prill të këtij viti me anijen “Red Jacket”, e cila solli ngarkesën e parë me rreth 1400 tuba të gjatësive 12 dhe 18 metra.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë. Nga kjo pikë TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas për 215 km do të vazhdojë drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut.
K.H.





