“Pesë restorante që shërbenin për turistët, janë mbyllur deri në plotësimin e kushteve higjieno – sanitare, nga Autoriteti Kombëtar Rajonal i Ushqimit në Durrës. 5 restorante të tjera janë gjobitur me shuma nga 1 milionë deri në 2 milionë lekë për mosplotësim të kushteve higjieno – sanitare në ambientet e tyre të brendshme. 350 bare e restorante që operojnë në zonën bregdetare nga plazhi i Durrësit deri në Gjirin e Lalëzit, janë objekt i kontrollit, ku shërbimi veterinar kontrollon kushtet e ruajtjes së ushqimeve dhe certifikatat e produkteve ushqimore”, tha në një intervistë për “DurrësLajm”, Altin Myrto, kreu i Autoritetit Rajonal të Ushqimit në Durrës.

Inspektorët e AKU-së kanë vijuar inspektimet në të gjithë baret e restorantet në zonën bregdetare, ndërsa për herë të parë, çdo restorant që ofron shërbim të garantuar e kualitativ, i vendoset pulla jeshile e garancisë ushqimore. Një numër jeshil pa pagesë është vënë në dispozicion të të gjithë konsumatorit për të denoncuar rastet kur mund t’u shërbehen ushqime apo pije jashtë datës së skadencës apo jashtë kushteve higjieno – sanitare sipas ligjit.

K.H.