Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës në Durrës, ku ka gjetur vdekjen një grua, ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë për jetën.

Aksidenti u regjistrua rreth orës 02:10 në rrugën “Aleksandër Goga”, lagja nr. 6, ku 25-vjeçari nga Durrësi Klejvi Maliqi, duke drejtuar automjetin tip Benz me targa AA 224 BD, ka aksidentuar dy këmbësorë.

Për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasja D.D. 53 vjeçe, banuese në Durrës. Ndërsa këmbësori tjetër, shtetasi A.B. 49 vjeç, banues në Durrës, është trasnportuar në Spitalin Ushtarak Tiranë ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Uniformat blu arrestuan 25-vjeçarin që shkaktoi aksidentin e rëndë, i cili pas bërjes së testit të alkoolit, ka rezultuar se ka konsumuar alkool në masën 0.45 mg/litër.

Jo pak kohë më parë, në këtë aks rrugor ndodhi një tjetër aksident i rëndë, ku mbeti i plagosur një efektiv policie gjatë kohës që ishte në krye të detyrës duke patrulluar me mjetin e policisë. Rrugët u çanë duke krijuar gropa të mëdha e të rrezikshme për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorëve, për shkak të shtrimit të rrjetit të ri elektrik, duke u kthyer kështu në burim aksidentesh me pasoja fatale.

Tashmë që punimet kanë përfunduar, rrugët nuk janë më në gjendjen e mëparshme, por kanë mbetur gunga-gunga.

S.L.