Greqia ka deklaruar se do t’i kthejë në Turqi 8 puçistët turq që me një helikopter u ulën në qytetin verior të Aleksandropulit ditën e shtunë.

“Autoritetet greke do të ndjekin procedurat e parashikuara nga ligji ndërkombëtar. Sidoqoftë, është marrë në konsideratë fakti që këta 8 persona të ndaluar akuzohen në vendin e tyre për prishje të rendit kushtetues dhe përpjekje për të rrëzuar demokracinë”, bëri të ditur zëdhënësja e qeverisë helene, Olga Gerovassilis, në një deklarate online.

Shefi i shtabit të përgjithshëm grek konfirmoi përmes një njoftimi se 8 ushtarakët turq, mes të cilëve 3 majorë, 3 togerë dhe 2 rreshterë, kërkuan azil politik në shtetin grek. 

Autoritetet helene nuk kanë konfirmuar nëse 8 oficerët, që hynë në hapësirën ajrore greke pa leje, kishin marrë pjesë në grushtin e shtetit në Turqi. Ato saktësuan vetëm se avionët gjuajtës grekë e shoqëruan helikopterin deri në aeroport. 

Fati i tyre pas kthimit në Turqi tashmë mbetet i paqartë, pasi zyrtarët turq kanë kërkuar kthimin e dënimit me vdekje në Turqi vetëm për puçistët.

Agjencia e lajmeve “Dogan” thotë se puçistët mund të ekzekutohen për komplotin ndaj qeverisë turke.

Nga ana tjetër, “Kathimerini”, duke cituar burime nga ministria greke, raporton se 8 puçistëve do t’u ofrohet procedura e rregullt për azil.