Një grua 51-vjeçare është arrestuar mbrëmjen e së premtes, pasi me anë të mashtrimit i ka marrë një qytetari një shumë të konsiderueshme parash.
Në pranga ka përfunduar Esmeralda Huqi, banuese në Tiranë. Duke u prezantuar si punonjëse e Kryeministrisë, ajo i ka marrë 28-vjeçarit me iniciale F.B. shumën prej 6500 eurosh, me qëllim që t’i jepte makina të këtij institucioni që dilnin në ankand.
Mësohet se denoncimi në polici është bërë nga vetë 28-vjeçari nga Tirana, i cili ka pohuar se shumën e sipërpërmendur ia kishte dhënë pak kohë më parë. Menjëherë pas kësaj, Huqi u arrestua në banesën e saj.
Më herët, 51-vjeçarja është arrestuar po për të njëjtën mënyrë të mashtrimit. Ajo ishte dënuar nga Gjykata me 8 vite burg, ndërsa ishte në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit.
Herën e parë që Esmeralda Huqi është prangosur, mësohet se ishte prezantuar te qytetarët që u kishte marrë paratë si punonjëse e Ministrisë së Financave.
Gjatë dëshmisë, gruaja ka pranuar akuzën që i është ngritur, ndërsa ka shtuar më tej se nuk ka më asnjë shumë nga paratë që i kishte marrë të riut, pasi i kishte shpenzuar.





