Rëndohet bilanci i viktimave të dhunës që shkaktoi grushti i dështuar i shtetit në Turqi.

Sipas një zyrtari të lartë të policisë, flitet për rreth 300 persona të vdekur, mes tyre llogariten 41 oficerë policie, 2 ushtarë, 47 civilë dhe 104 persona të tjerë të cilësuar si komplotistë; ndërsa të plagosurit janë mbi 1.400.

Ndërkohë, janë 2.893 ushtarakë të arrestuar gjatë ditës nga autoritetet turke. Mes tyre figurojnë edhe 2 gjeneralë të lartë të Forcave të Armatosura. 

Organizmi shtetëror turk që ka nën kontroll gjyqtarët dhe prokurorët shkarkoi nga detyra 2.745 funksionarë në të gjithë vendin.

Lajmin e bëri të ditur agjencia “Anadolu”, sipas të cilës vendimi u mor në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, këtë të shtunë.

Mbledhja kishte si qëllim marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të dyshuar për lidhje me figurën fetare myslimane Fethullah Gulen, që jeton në SHBA dhe që është akuzuar për nxitje të grushtit të dështuar. 

Ndërsa ky i fundit, në një prononcim për gazetarët, akuzoi presidentin Erdogan se mund ta ketë organizuar ai vetë grushtin e shtetit.