Në një intervistë të veçantë që i ka dhënë një grupi të vogël gazetarësh në rezidencën e tij në Saylorsburg të Pensilvanisë, Fethullah Gyleni, i cili jeton në një vend të veçuar, është shprehur se ai i refuzon të gjitha akuzat e hedhura se ka qenë pikërisht ai pas përpjekjes së të premtes mbrëma për një grusht shteti.

“Unë nuk besoj se bota do t’i besojë akuzat e bëra prej Presidentit Erdogan. Ka gjasa që i gjithi ky të ketë qenë një grusht shteti i inskenuar, i planifikuar për akuza të mëtejshme [kundër Lëvizjes “Hizmet”]”, është shprehur Gyleni.

Ai shtoi se është kundër çdo lloj ndërhyrjeje ushtarake, madje theksoi se ai e ka vuajtur përherë mbi supe çdo herë që të ketë ndodhur një e tillë në Turqi gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. “Turqia nuk mund të kthehet pas më, tani që i është futur rrugës së demokracisë”, deklaroi ai.

Hera e fundit që ky mendimtar i tërhequr ka folur drejtpërsëdrejti para shtypit ndërkombëtar ka qenë në vitin 2014. Ai rrallëherë largohet prej kompleksit “Qendra e Adhurimit dhe Ripërtëritjes Shpirtërore të Brezit të Artë”, ku lëvizja e frymëzuar prej ideve dhe botëkuptimit të tij ofron edukim fetar. Imami, i cili jeton në ekzil, është në një gjendje shëndetësore delikate.

Menjëherë pas marrjes së lajmit për ngjarjet në Turqi, drejtori ekzekutiv i Aleancës për Vlerat e Përbashkëta, Alp Aslandogan, si dhe këshilltari për shtypin i z. Gylen, u shprehën se siguria duhet të kalonte në “gjendje alarmi”, duke parë gjuhën e ashpër dhe të dhunshme në mediat sociale.

Ndërkohë që Erdogani po bën çdo përpjekje për të ekstraduar z. Gylen, me akuzat për planifikim dhe organizim të një grushti shteti, Asllandogani u shpreh: “Qëndrimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithnjë ai se ata do ta trajtojnë menjëherë çështjen nëse ka ndonjë provë për shkelje të ligjit nga ana e Fethullah Gylenit. Deri më ani, qeveria turke nuk ka paraqitur dot asgjë. Falënderojmë Zotin që ky është një shtet ligjor dhe ne varemi vetëm nga ligjet.”

Në lidhje me idenë se Erdogani mund ta ketë inskenuar vetë këtë grusht shteti, Asllandogani nënvizoi se ngjarjet e së premtes nuk përputhen thuajse fare me strukturën e grushteve të shtetit në të shkuarën:

“Grushti i shtetit ngjan të jetë i planifikuar dobët, është zbatuar dobët dhe gjithçka duket sikur luan për dorën e Presidentit Erdogan.”

“Ka shumë pikëpyetje të mëdha rreth faktit se si u vu në zbatim ky grusht shteti (i mbetur në tentativë)”, përfundoi ai.

*Ky lajm është publikuar në faqen online të gazetës “The Guardian”, mbrëmjen e sotme, pas intervistës që një grup gazetarësh prej organesh të ndryshme të shtypit ndërkombëtar ka zhvilluar me M. Fethullah Gylenin në rezidencën ku ai banon