Thënë këtë, janë të shumtë ata pushues shqiptarë të cilët çdo vit zgjedhin Antalya-n si destinacion të preferuar për të kaluar pushimet verore. Duke qenë se është vënë re një ndjenjë paniku në rrjetet sociale nga njerëz të ndryshëm që mund të kenë planifikuar apo rezervuar tanimë pushimet e tyre në rivierën turke, "Blitz.al" kontaktoi me administratorë dhe përfaqësues të disa prej agjencive më të njohura që mbulojnë Turqinë për t’u njohur më konkretisht me situatën.
Ornela Zholaj, e cila është administratorja e "Global Travel", sqaroi për se situata është mjaft e qetë në Antalya. Ajo tregoi se pushuesit janë nisur nga Antalya për në Tiranë dhe anasjellas pa pasur asnjë problem. Sipas saj, avionët "charter" do të vazhdojnë punën normalisht sepse nuk ka pasur asnjë lloj ngurrimi as nga pushuesit dhe as nga autoritetet të aeroportit të Antalya-s për t’i pritur këta të fundit si çdo herë. Ornela na ka treguar se nuk ka pasur anulime nga ana e pushuesve deri tani dhe ajo siguron të gjithë pushuesit se duhet të jenë të qetë për sa u përket pushimeve të tyre, sepse Antalya i mirëpret si çdo vit tjetër, pa pasur asnjë ndryshim.
Administratorja e "Sava Tours", Sava Bardhi, tregon se gjithçka vijon si normalisht me pushimet në Turqi pasi nuk ka pasur anulime të fluturimeve për në Antalya. Madje ajo ka theksuar se përveç një vonese të vogël, edhe mbrëmjen e djeshme "charter"-i nga Antalya ka fluturuar drejt Tiranës pa pasur asnjë problem ndërkohë që në Stamboll ndodhnin trazirat. Sipas saj, pushuesit kanë pasur pyetje, njësoj si në rastin e shpërthimit në aeroportin e Stambollit disa javë më parë, por ata janë qetësuar kur janë njoftuar se aktiviteti në Antalya shkon si normalisht. Sipas Savës, nga të gjithë pushuesit që kanë prenotuar paraprakisht për të pushuar në Antalya shumë pak e kanë shtyrë datën e biletës së tyre për disa ditë më vonë, por nuk ka pasur anulime. Ajo thekson edhe një herë se situata në aeroportin e Antalya-s është mjaft e qetë dhe pushuesit janë duke vazhduar normalisht ditët e tyre të qetësisë dhe qejfit.
Sipas agjencive shqiptare që mbulojnë pushimet në rivierën turke, pavarësisht ngjarjeve të djeshme, situata është plotësisht nën kontroll dhe nuk vihet re asnjë shqetësim që mund të ndërpresë pushimet e atyre që kanë zgjedhur si destinacion Turqinë edhe për këtë sezon veror.
Marrë nga "Blitz.al"





