Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pak ditë më parë ka nxjerrë disa vendime duke urdhëruar një sërë lëvizjesh në sistemin e prokurorisë. Lëvizjet janë kryer në shumë prokurori, kryesisht lëvizje drejtuesish por dhe prokurorë të thjeshtë. ”Shqiptarja.com” mëson se interes për të lëvizur kanë shfaqur dhe dy prokurorët Petrit Fusha drejtues i Tiranës dhe Ramadan Troci drejtues i prokurorisë së Vlorës, për të qenë pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme.

Por nuk dihet nëse janë dekretuar ose jo nga presidenti Nishani. Ndërkohë zëra pranë prokurorisë thonë se pikërisht këta dy prokurorë dhe prokurorët e tjerë Anton Martini dhe Vladimir Mara që garonin për tek Krimet e Renda nuk janë dërguar nga Llalla te presidenti për t’u dekretuar.

Gjithsesi këto janë zëra të pakonfirmuara. Vendimin për t'u bërë drejtues prokurorie e kanë marrë Elvin Gogaj, Simon Pashuku, Shkëlzen Cena, Artur Ismailukaj. Ndërkohë që shumë lëvizje janë kryer dhe për prokurorët e thjeshtë.

Emrat që lëvizin

Elvin Gogaj emërohet drejtues në Prokurorinë e Apelit Shkodër

Simon Pashuku nga Shkodra Drejtues në Prokurorinë e Lezhës

Artur Ismailukaj emërohet Drejtues në Tropojë

Zeqir Hoxha nga drejtues në Lezhë emërohet prokuror i thjeshtë në Tiranë

Besa Nikhasani nga drejtuese në Apelin Shkodër, prokurore e thjeshtë në Burrel

Shkëlzen Cena emërohet drejtues në Prokurorinë e Peshkopisë

Urim Buci nga drejtues në Peshkopi, bëhet prokuror i thjeshtë në Peshkopi

Deniona Katro nga drejtuese Task-Force në Tiranë, emërohet drejtuese në Task-Forcë në Durrës

Ndini Tavani emërohet drejtues në Task-Forcën Tiranë.

Vladimir Mara nga prokuror i thjeshtë në Durrës, emërohet prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Petrit Fusha është votuar nga anëtarët e Këshillit për të lëvizur në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk dihet nëse është dekretuar kjo lëvizje nga Presidenti Nishani 

Ramadan Troci është votuar nga anëtarët e Këshillit për të lëvizur në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk dihet nëse është dekretuar kjo lëvizje nga presidenti Nishani.

Mirela Mërtiri nga prokurore në Fier, emërohet zv/prokurore në Tiranë.