Një protestues ka tentuar mbrëmjen e djeshme të shuajë zjarrin që mban pishtari olimpik, duke ndërprerë edhe për disa momente rrugëtimin e flakës olimpike në qytezën e Joinville, në Brazil.

Teksa todofori vraponte në rrugët e qytetit i shoqëruar nga disa policë, një protestues afrohet papritur bashkë me një fikëse zjarri, të cilën e drejton nga flaka olimpike. Por përpjekja e protestuesit dështoi, pasi pishtari që mbante flakën olimpike nuk u fik edhe për shkak se ndërhyrja e forcave të sigurisë ishte e menjëhershme.

Mediat braziliane raportojnë se kjo nuk është hera e parë që flaka olimpike kalon peripeci të tilla, por përpjekjet e mëparshme nuk kanë qenë të dokumentuara nga kamera, siç dhe ndodhi këtë herë. Muajin e kaluar një burrë është përpjekur të fikë flakën olimpike, duke hedhur drejt saj një kovë me ujë të ftohtë.

Flaka olimpike është në ditët e saj të fundit të rrugëtimit, pasi më 5 gusht do të mbërrijë në Rio de Zhaneiro, ku dhe zhvillohet ceremonia e hapjes së Olimpaidës në stadiumin e famshëm “Maracana”.