Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka deklaruar ditën e sotme se 8 ushtarakët që u arratisën në Greqi me helikopter pas puçit ushtarak do të ekstradohen në Turqi.

Përmes një postimi në “Twitter”, ai ka thënë se ka folur me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili sipas tij ka konfirmuar ekstradimin e 8 puçistëve të arratisur.

Mes 8 puçistëve, të cilët po kërkojnë azil në Greqi, ka dy majorë ushtarakë, një kapiten dhe 5 ushtarakë të thjeshtë.

Fati i tyre tashmë mbetet i paqartë, pasi zyrtarët turq kanë kërkuar kthimin e dënimit me vdekje në Turqi vetëm për puçistët.

Agjencia e lajmeve “Dogan” thotë se puçistët mund të ekzekutohen për komplotin ndaj qeverisë turke.

Nga ana tjetër, “Kathimerini”, duke cituar burime nga ministria greke, raporton se 8 puçistëve do t’u ofrohet procedura e rregullt për azil.