Refuzimi që Carlos Bacca i bëri ofertës për tu transferuar te West Ham, bllokon blerjet dhe merkaton hyrëse të Milanit, sikurse dhe firma mbi akordin paraprak për shitjen e klubit grupit kinez. Në pritje të ndryshimit të presidencës, administratori i deleguar, Adriano Galliani mund të bëjë gjumë pa makthe, teksa po kërkon në mënyrë të dëshpëruar të realizojë disa tratativa që do të forconin kontigjentin në dispozicion të trajnerit Vincenzo Montella, me oferta që deri tani janë vetëm virtuale.

Montella, në kërkim të një qendërmbrojtësi që të mbështesë Romagnolin të një gjysmë mesfushori cilësor, një trekuartisti anësor dhe një sulmuesi qëndror, do ta ketë të pamundur të plotësojë dëshirat, nëse më parë nuk gjehet një sistemim për Baccan, i vlerësuar jo më pak se 26-27 milionë euro, por që kërkon me çdo kusht që ekipi i tij i ardhshëm të garojë në Champions League. Deri atëherë, gjithçka është në dyshim dhe gjithëkush është në diskutim, edhe ata futbollistë të cilët deri dje nuk ishin në shitje. Në këto ditë të para të grumbullimit,

Montella ka patur mundësinë që të vlerësojë në mënyrë të veçantë cilësitë e tre futbollistëve në repartin ofensiv, Suso, Luiz Adriano dhe Niang, të gjithë në kërkim të një shansi për më shumë hapësira në fushë me Milanin. Që të tre këta të konsideruar si futbollistë në shitje për të gjeneruar të ardhura, por kjo, derisa te Milani nuk kishte ardhur ende trajneri Montella.

Tashmë gjithçka gati nga e para, pavarësisht se sot, do të jenë sërish mes tundimeve, në kuadër të takimit të parë miqësor, që Milani do të zhvillojnë kundër Bordeaux. Spanjolli në mënyrë të vazhdueshme është kërkuar në huazim nga Genoa, pas atyre 5 muajve bindës të sezonit të kaluar, edhe si një favor për të mbërritur te sulmuesi kuqeblu, Pavoletti, por njëkohësisht kërkohet edhe në Spanjë, nga Villarreal, e jo vetëm. Luiz Adriano, pas dështimit të transferimit në Kinë, mbetet në objektivin e Zenit Shën Peterburg, i drejtuar nga babai i tij shpirtëror, Lucescu, që e promovoi në nivel Europian me Shakhtar Donetsk.

Disi më e komplikuar është situata për Niang, i kërkuar në të kaluarën nga Borussia Dortmund, Leicester dhe West Ham. Montella, në mënyrë të vazhdueshme i ka thurur elozhe, por edhe në këtë rast, duke marrë në konsideratë edhe problemet e përsëritura në sjelljen jashtë fushe, një ofertë me të paktën 10 milionë euro do të tundonte Milanin.

Pak do të ndryshojë në mbrojtje, repart që krejt ndryshe, ka nevojë për përforcime dhe plotësime të menjëherëshme, në prag të lamtumirës së Mexes dhe Alex, si dhe të dëmtimit të Zapatas, që do të qëndrojë jashtë fushës për të paktën 2-3 muaj. Kjo nënkupton se për momentin janë ndalur transferimet e mundshme të Rodrigo Ely dhe Paletta, ndërkohë që për De Sciglio, i hequr nga lista e futbollsitëve në largim, pavarësisht interesimit të Jueventusit dhe ofertës konkrete të Napolit, nevojitet një ofertë jo më e vogël se 20 milionë për të nisur diskutimet dhe tratativat.

Më në fund, në mesfushë, mund të rikthehet skenari i largimit të Kucka, transaksioni më i mirë në merkato në raport mes cilësisë dhe çmimit, i sezonit të kaluar, por të cilin Sinisa Mihajlovic do të dëshironte ta kishte te Torino.