Situatë kritike në Shkëmbin e Kavajës përsa i përket largimit të mbeturinave urbane nga ana e Ndërmarrjes së Pastrimit.
Megjithëse një zonë elitare turistike, mbeturinat urbane, të patërhequra për ditë me rradhë, po largojnë pushuesit që e frekuentojnë masivisht këtë vijë bregdetare.
Shqetësimi ngrihet nga pronarët e bizneseve të zonës, të cilët vënë alarmin për largimin e pushuesve vendas e të huaj, për shkak të erës së rëndë të mbeturinave.
“Mezi e kemi pritur këtë periudhë, pasi fluksi deri tani ka qenë i dobët. Por tashmë edhe ata pushues që na vijnë na largohen brenda ditës pasi nuk durojnë dot erën. Kisha 5 çifte polake që do qëndronin disa ditë, por ikën brenda ditës shumë të pakënaqur nga era e rëndë. Kështu ne po falimentojmë”,- rrëfen njëri nga pronarët e bizneseve për Durrëslajm.
Shqetësimin e biznesit të kësaj zone, Durrëslajm e pasqyroi edhe një javë më parë dhe reagimi qe i menjëhershëm nga ndërmarrja e pastrimit.
Plehrat e grumbulluara aty prej disa ditësh u tërhoqën menjëherë. Urojmë që edhe këtë herë, shqetësimi qytetar të gjejë reagimin e institucioneve vendore dhe situata të ndryshojë e të kthehet ashtu siç duhet të jetë një zonë turistike.





