Ankesa të shumta drejtohen çdo ditë në Inspektoriatin Shëndetësor Shtetëror në Durrës, përsa i përket sigurisë ushqimore dhe ujit të pijshëm.

Për çdo ankesë shkon në vendngjarje një grup i inspektorëve dhe bashkëpunimi me ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe Komunales së Plazhit është i ngushtë, për të zgjidhur problemet e qytetarëve”,- deklaroi Andi Shahini, kryeinspektor i Inspektoriatit shëndetësor në Durrës.

Ankesat vijnë nga lagje të ndryshme dhe problematika është në drejtim të clësisë së ujit të pijshëm.

“Për ujin e pijshëm ka ankesa të shumta, kryesisht vijnë nga lagjja nr.18 e rruga “Taulantia” në lagjjen nr.1 në Durrës. Problemet me ujin vijnë nga ndërhyrjet që bëhen në rrjetin e ujësjellësit nga vetë qytetarët. Problemi kryesor janë depozitat e papastruara të qyetarëve dhe të subjekteve të biznesit. Një qytetar denoncoi një prej pastiçerive të njohura në Durrës, ku rezultoi se depozita e ujit që përdorte ishte me fekale e për këtë u gjobit me 2 milionë lekë. Vetëm pasi plotësosi kushtet higjeno -sanitare u bë e mundur hapja ne biznesit”,- pohoi Shahini.  

Kreu i inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor ju bëri thirrje qytetarëve të mos abuzojnë me ujin e pijshëm e të mos ndërhyjnë në rrjet, çka do të shkaktonte probleme të mëdha. 

Po kështu, objekt kontrolli janë edhe 9 pishina në Durrës e tre në Krujë, në 12 resortet e Qarkut. Pishinat janë inspektuar nga Inspektoriati Shëndetësor Rajonal, përpara stinës së verës e në asnjë prej tyre nuk janë vërejtur probleme, në muajin qershor.