600 studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, kanë përfunduar ciklin e studimeve “Bachelor”. Mbrëmjen e djeshme, në sheshin “Liria” të qytetit është organizuar ceremonia e diplomimit, ku studentët të veshur me mantelin karakteristik blu e me kapele i kanë dhënë fund një periudhe 3- vjeçare në auditore.
Në fjalën e mbajtur, prefekti Roland Xhelilaj përgëzoi gjithë studentët e diplomuar duke nënvizuar angazhimin e tyre gjatë 3 viteve të universitetit.
“Kostumi i veshur të jep emocion, pavarësisht moshës. Universiteti, ekzistenca e tij, është një nga elementët më të rëndësishëm të jetës. Përfundimi i studimeve është hapi më i thjeshtë, pas të cilit kërkohet impenjim i madh”,- tha ndër të tjera prefekti Xhelilaj..
Më tej prefekti i qarkut shtoi se pjesë e gëzimit të studentëve është i gjithë qyteti. Ai ka falenderuar stafin për punën e bërë dhe prindërit që kanë kontribuar dhe janë përpjekur që fëmijët e tyre të diplomohen.
Në fund të ceremonisë studentët kanë kryer ritualin e zakonshëm, hedhjen e kapeleve në ajër, duke shënuar kështu mbylljen e një cikli të rëndësishëm të jetës së tyre.
Prezent në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” ishin edhe zëvendës ministrja e Arsimit Nora Malaj, kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, përfaqësues e pedagogë të universitetit dhe prindër e miq të studentëve.
R.O.





