Gjendet automjeti që iu grabit shtetasit Thanas Naumi, 34 vjeçar, afër digës së Liqenit Artificial në Tiranë.
Burime policore bëjnë me dije se automjeti u gjet në orën 03:00 të së shtunës te Liqeni i Thatë, në Tiranë.
Policia ka nisur ekzaminimet në automjet. Ndërkohë që autori i grabitjes me dhunë ende nuk ka rënë në gjurmët e policisë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, ku pronari i automjetit u plagos me armë nga grabitësi, i cili i kërkoi t’i jepte çelësat e makinës.
Automjeti i një tregtari nga Pogradeci u grabit nën kërcënimin e armës, ndërsa vetë pronari u plagos lehtë gjatë ngjarjes, pasi kundërshtoi të dorëzonte çelësat e mjetit.
Menjëherë pas ngjarjes, aty kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.2, si dhe oficerë të Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Thanas Naumi, sipas Policisë, ka qenë duke tentuar të largohet me makinë drejt shtëpisë, kur një person i ka dalë para me armë zjarri dhe i ka kërkuar të ndalonte.
Drejtuesi i makinës ka ndaluar dhe autori i ka kërkuar të zbriste nga mjeti e t’i jepte çelësat, teksa i kishte drejtuar armën e zjarrit në fytyrë.
Shoferi ka kundërshtuar dhe në këtë moment autori e ka qëlluar me armë në njërën këmbë, duke e lënë të plagosur.
Sipas Policisë, plaga ka qenë tejshpuese në pulpën e këmbës, por fatmirësisht pa problem për jetën.





