Viti i ri shkollor 2016-2017 për sistemin e arsimit parauniversitar në mbarë vendin do të nisë në 13 shtator 2016. Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëpërmjet Urdhrit nr.327, datë 23.06.2016, kanë përcaktuar strukturën e vitit të ri shkollor për gjithë sistemin shkollor parauniversitar. E marta e 13 shtatorit është dita e parë e shkollës si për shkollat 9-vjeçare, edhe për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale. Ndërsa përfundimi i shkollës do të jetë në qershor 2016, por në data të ndryshme. Në këtë strukturë të vitit ajo që bie në sy është reduktimi i ditëve të pushimit për arsimin bazë, raporton Gazeta Shqiptare.

Pushimet e para për nxënësit e arsimit bazë fillojnë më 24 dhjetor 2016 dhe mbarojnë në 3 janar 2017. Në strukturën e vitit të ri shkollor për arsimin bazë, MAS-i ka reduktuar ditët e pushimeve. Kështu, nëse vitet e mëparshme nxënësit në muajin prill kanë pasur 5 ditë pushimi, vitin e ri shkollor periudha e dytë e pushimeve nis më 31 mars 2017 dhe mbaron në 2 prill 2017.

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare ashtu si edhe këtë vit, provimet e lirimit do t’i zhvillojnë në periudhën 10-30 qershor 2017. Shkollat e mesme mësimin do ta fillojnë në 14 shtator si pjesa tjetër, por viti shkollor për gjimnazet përfundon më vonë, në datën 16 qershor 2017. Vetëm maturantët vitin shkollor e nisin në 13 shtator dhe e mbarojnë në 31 maj 2017, pasi u nisin provimet. Në udhëzim është përcaktuar se provimet e maturës do zhvillohen në 1-30 qershor 2017.