Përgjakja e Ditës së Bastijës na shokoi. Akti terrorist i rradhës goditi në një ditë simbol për francezët. Evropa që aq shumë ëndërruam u godit sërish. Sërish në Francë, djepin e kulturës dhe idealit “Liri, Barazi, Vëllazëri”.
Terror e pasiguri. Tmerr. Të pafajshëm që festonin e nuk janë më. Të tjerë që gëzimin e harenë e zëvendësuan në çast me frikën dhe falenderimin, vetëm në dukje egoist, që nuk ishin mes viktimave.
Mes shumë shqiptarëve atje dhe një mike, pjesë e një programi për kualifikim profesional. Nxitova t'i shkruaj për të mësuar si ishte. Përgjigjja e shpejtë më çliroi. Më parë sinjalin e jetës ma dha Facebook që lajmëronte qënien e mikes time në linjë pak minuta para se t'i shkruaja.
''Ishte një atmosferë fantastike, pastaj iknim të gjithë si minjtë. Donim të ishim aty ku ndodhi ngjarja për të parë më mirë fishekzjarret, po nuk mundëm se kishte shumë njerëz, plot turistë. Gjithçka u kthye në një tmerr. Qarkullimi u bllokua. Tramet nuk lëviznin, ndërsa na kërkohej të iknim nga zona…''
Përjetimi i saj dhe i mijëra të tjerëve nuk do të shlyhet gjatë, ndërsa kthimi në atdhe dhe përqafimi i njerëzve të dashur do të fashisë disi tronditjen e asaj nate festive në Nisë që u kthye në makth, falenderim për jetët e shpëtuara dhe lutje për shpirtrat e të humburve mes të cilëve dhe fëmijë që ikën e s'kthehen më në këtë jetë.
Në një vit e gjysëm, akte të vazhdueshme terroriste po godasin Francën. Francën e bukur dhe elitare, duke ngritur pyetjen pse sërish Franca? Pse nga njerëz të lindur e rritur kryesisht aty, pavarësisht origjinës dhe lidhjeve me organizatat terroriste a të ashtuquajturin shtet islamik?
Masat e larta të sigurisë së marra pas akteve të mëparshme nuk kanë mjaftuar. Vigjilenca e autoriteteve përgjegjëse për sigurinë dëshmohet se nuk është në nivelin e dëshiruar. Idealet e revolucionit francez po ndëshkohen në shtëpinë e tyre. Mbase centralizimi i goditjeve në Francë është pikërisht aspirata e dështuar e këtyre idealeve për të ardhurit nga vende të ndryshme e që nuk kanë arritur të ndjehen të integruar në jetën alla franceze, jetë të cilën e lakmuan duke pasur si busull pikërisht ato ideale.
Terrorizmi është vërtet një hap para duke shfrytëzuar pakënaqësitë sociale të emigrantëve, po vullneti i politikbërësve dhe politikzbatuesve duhet t’i kapërcejë këto. Të reflektojë, ndërtojë dhe zbatojë politika integruese reale. Të mos krijojë ndasitë e qytetarëve të dorës së parë e të dytë. Të përafrohet me ëndrrën që të ardhurit patën kur mësynë drejt Francës.
Aktet terroriste shenjojnë jetën e gjithsecilit prej nesh. Ashtu si dhe konfliktet ndërpersonale, po në asnjë rast e keqja, pasiguria, terrori që na pushton nuk duhet të triumfojnë nga terreni që krijojnë. Pasiguria për të udhëtuar drejt kryeqendrave europiane, drejt festave në sheshe a stadiume s’duhet të na mpakë, të na largojë.
As këto e as akte të tjera nuk duhet të na dekurajojnë deri në pikën e tërheqjes nga të jetuarit e jetës në plotësinë e saj. Askush nuk mund ta vërë nën kontroll lirinë tonë. Duhet shkuar gjithnjë drejt saj pa u dorëzuar dhe gjithsecili me vullnetin për ta mbrojtur së bashku lirinë e sigurinë e përbashkët. Mes festuesve të natës së të enjtes në Nisë ka nga ata që janë penduar se e panë dhe nuk e raportuan praninë e pazakontë të kamionit fatal në sheshin me qytetarë. U harruan të përfshirë nga atmosfera vezulluese e festës dhe të sigurtë se masat ishin marrë nga tjetër kush për festime të suksesshme. Po jo, ndodhi, ndaj pak kontribut nga gjithsecili dhe në të përditshmen tonë nuk është kurrë i tepërt. Jetojmë në epokën e globalizmit dhe askush nuk mund ta ndalë më mekanizmin e lëvizjes së lirë dhe bashkëjetesës ndëretnike, ndërfetare dhe multikulturore. Po të gjithë mund të kontribuojnë për të ndalur ekstremistët dhe aktet e tyre terroriste. Pak kontribut qytetar është shumë më shumë se aspak.
V.Q.





