Tensionohet marrdhënia mes Roberto Mancinit dhe Interit. Duket se raportet mes drejtuesve zikaltër dhe trajnerit janë prishur. Shkak mendohet se është merkatoja e dobët që po zhvillon Interi, çka ka sjellë pakënaqësi dhe pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e Mancinit në krye të stolit. Tekniku 51-vjeçar gjatë një konference për shtyp, pa u menduar dy herë, thumboi presidencën zikaltër: “Yaya Toure? Besoj se mundësitë për ta transferuar atë, në këtë moment janë shumë të pakta, për të mos thënë që janë pothuajse zero. Me Bolingbroke nuk kemi folur dhe për momentin nuk e di se cilit duhet t’i drejtohem për çështjen e merkatos”. Fjalë këto që shprehin hapur zhgënjimin e Italianit. Orët e ardhshme pritet të jenë vendimtare. Zgjidhja e kontratës në mënyrë konsensuale është një alternativë për Mancinin, i cili kërkohet nga Kombëtarja angleze. Në rast, largimi alternativat për të marrë drejtimin e stolit të Interit nuk mungojnë. Zëvëndës Presidenti i zikaltërve, Javier Zanetti ka nisur bisedimet me Leonardon. Ky do të ishte një rikthim tek Interi për brazilianin, të cilit më pas pritet t’i ofrohet edhe një post drejtuesi. Në listë janë gjithashtu ish-tekniku i Kombëtares Italiane, Cesare Prandelli dhe holandezi Franc De Boer.





