Rritet bilanci tragjik i viktimave nga sulmi i mbrëmjes së të enjtes në Nicë të Francës.
Të dhënat e fundit nga autoritetet zyrtare franceze flasin për 84 të vrarë dhe mbi 150 të tjerë të plagosur, 18 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.
Mes 84 viktimave ka dhe fëmijë, por numri i saktë i tyre pritet të dalë në vijim.
Akti barbar u regjistrua të enjten vonë në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarrë e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës.
Një kamion hyri përmes turmës. Prefekti i zonës, Sebastien Humbert, tha për televizionin shtetëror francez se shoferi i kamionit u ekzekutua nga policia pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri.
Sulmuesi është identifikuar si një shtetas franco-tunizian 31 vjeç. Një burim i policisë franceze thotë se brenda kamionit ishte gjetur një kartë identiteti dhe se personi ishte banor i Nicës.
Disa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se kishin dëgjuar të shtëna, ndërsa kamioni i bardhë hynte mes turmës së njerëzve, duke devijuar majtas e djathtas për t’i goditur ata.
Presidenti Hollande deklaroi se ky është një sulm terrorist dhe se po kërkojnë bashkëpunëtorët e autorit të kasaphanës.





