Një aksident automobilistik sapo është regjistruar para pak minutash në autostradën Durrës-Tiranë në afërsi të Maminasit.

Një makinë tip “Benz” me ngjyrë të verdhë ka qenë duke ecur kundërvajtje në mes të autostradës dhe është përplasur me një tjetër mjet.

Siç shihet edhe nga fotot që “DurrësLajm” sjell nga vendngjarja, përplasja ka rezultuar tepër e fortë dhe automjeti ngjyrë vishnje është kthyer përmbys.

Sipas informacioneve paraprake të policisë së Durrësit, nga ky aksident kanë mbetur të lënduar dy drejtuesit e automjeteve të aksidentuara, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata janë transportuar në spitalin e Durrësit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti janë ende të paqarta. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë si dhe zhbllokimin e trafikut të rënduar të automjeteve.