Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, ka dhënë dorëheqjen.

Në një kërkesë drejtuar ministrit të Drejtësisë, Zoto argumenton si arsye të dorëheqjes pamundësinë për të mbajtur këtë detyrë për shkak të arsyeve personale dhe familjare.

Zoto mbante detyrën e Drejtorit të Pergjithshem i Burgjeve që prej 3 tetorit të 2013-s.

Kërkesa e Zotos për dorëheqje:

“I Nderuar Zoti ministër,

Me Urdhrin e Kryeministrit të Shqipërisë Nr. 149 datë 03.10.2013 jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Duke marrë në konsideratë situatën e sistemit të burgjeve shqiptare dhe rëndësinë si institucion i veçantë i sigurisë kombëtare, u angazhova maksimalisht për kryerjen me përgjegjshmëri të lartë të detyrave funksionale në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Gjatë periudhës që kam ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve janë ndërmarrë një sërë reformash dhe iniciativa të rëndësishme, të cilat kanë synuar zbatimin e ligjshmërisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe transformimin e sistemit të burgjeve në një mundësi rehabilitimi për personat me liri të kufizuar. Prioritet i është dhënë forcimit të masave antikorrupsion, kur për herë të parë përgjatë viteve 2013-2016 u vunë në zbatim masa specifike për parandalimin e korrupsionit në sistemin e burgjeve, kontrollin dhe monitorimin e praktikave të dhënies së lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat me liri të kufizuar, si dhe forcimin e mekanizmit të kërkesë ankesës në bashkëpunim të ngushtë edhe me aktorë të jashtëm.   

Gjithashtu, gjatë viteve që kam ushtruar këtë funksion publik, jam përkushtuar për ndryshimin e filozofisë së menaxhimit të sistemit të burgjeve, nëpërmjet vënies në funksion të metodologjive bashkëkohore për administrimin e sigurisë në institucionet penitenciare, regjimin ditor të personave me liri të kufizuar, vlerësimin e performancës individuale të stafit si dhe të institucioneve, duke vendosur baza të rëndësishme për organizimin dhe funksionimin në nivel qendror dhe lokal. 

Duke e konsideruar të pamundur ushtrimin e kësaj detyre në vijim, për shkak të arsyeve personale dhe familjare, ju paraqes dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.”