Tri muaj më parë, “DurrësLajm” bëri publike historinë e 14-vjeçarit Klorian Poka, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë tumorale dhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën gjendet familja e tij, prindërit e vogëlushit iu drejtuan portalit tonë për të bërë apel, pasi e kishin të pamundur të siguronin kurimin dhe ilaçet për djalin.
Babai i tij Zamir Poka, pohoi se mjekët i patën thënë që mundësia për ta shpëtuar është jashtë vendit, pasi sëmundja i ka prekur një këmbë dhe po i përhapet në mëlçi. Por ende sot e kësaj dite, djali nuk është transportuar në asnjë klinikë të specializuar. Familja është zhytur në borxhe dhe tani shpresat po i shterojnë.
Familjen Poka e ka vizituar një ditë më parë edhe sekretari për aksionin qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji, nga ku është shprehur se qeveria duhet të reagojë menjëherë për të shpëtuar jetën e djalit 14-vjeçar.
Vetë babai i Klorianit, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve ta ndihmojnë pasi ai nuk ka gjetur ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë duke u detyruar të paguajnë miliona për ilaçet e djalit.
“Deri tani ilaçet i kemi përballuar me borxhe. Kam shkuar dhe kam marrë edhe kredi. Por tani e mbrapa e kam shumë vështirë se nuk kam më. Herën e parë ilaçet më shkuan dy milionë e gjysmë. Më pas kam paguar edhe 300, 500 etj. Nga Ministria dhe spitali nuk kemi pasur asnjë ndihmë”, tha Poka.
Salianji tha se qeveria duhet të miratojë një fond me VKM ose ta dërgojë jashtë vendit për kurim, siç ka vepruar edhe për persona të tjera të njohur e publikë.
“Unë i bëj një thirrje ministrit të Shëndetësisë dhe Kryeministrit. Duke qenë se politika bëhet për njerëzit dhe nuk ka gjë më të rëndësishme se sa jeta e një fëmije, i cili për fatkeqësinë e tij ka rastisur që të heqë këtë vuajtje në këtë moshë, qeveritarët duhet të bëjnë të mundur që të çojnë për kurim jashtë djalin tuaj. Nuk është aspak më e rëndësishme jeta e një klienti apo njeriu të njohur për qeverinë, të cilit i përgjigjen në çdo moment, qoftë për ta çuar jashtë shtetit e qoftë për ti dhënë fond me VKM për tu kuruar apo për të vendosur para publike në tenderë e për të bërë zyra. Dua t’i bëj thirrje publike kujtdo që ka mundësi të vërë dorën në zemër e të bëjë diçka dhe çdo gjë të mundur”, tha Salianji.
Edhe gjyshja e djalit kërkoi nga gjithë shqiptarët ndihmë për të shpëtuar jetën e nipit të saj.
“E di gjithë Durrësi që jemi në borxh e në kredi. Sa e mbaruam këtë shtëpi na ra çuni e prej 6 muajsh e kemi në krevat. Ne i bëjmë thirrje kujtdo të na ndihmojë. Ju lutem të na ndihmoni”, apeloi ajo.





