Ministria e Punëve te Jashtme ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për popullin dhe autoritetet franceze, dhe ka dënuar me forcë sulmin e rëndë të ndodhur mbrëmë në Francë.

“Qëndrojmë krahë Francës në betejën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Ministria e Punëve te Jashtme shprehet se ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë shtetasve shqiptarë që mund të jenë të përfshirë në këtë situatë krize.

Ministria bën të ditur se është njoftuar nga Ambasada shqiptare në Paris se nuk rezulton të kemi shtetas shqiptar që mund të kenë humbur jetën.

Në ndihmë të qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Francë dhe familjeve të tyre, Ambasada shqiptare në Paris ka vënë në dispozicion numrin e kontaktit: +33147233151. 

Sulmi në Nice

Akti barbar u regjistrua të enjten vonë në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarrë e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës.

Një kamion hyri përmes turmës. Prefekti i zonës, Sebastien Humbert, tha për televizionin shtetëror francez se shoferi i kamionit u ekzekutua nga policia pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri.

Sulmuesi është identifikuar si një shtetas franco-tunizian 31 vjeç. Një burim i policisë franceze thotë se brenda kamionit ishte gjetur një kartë identiteti dhe se personi ishte banor i Nicës.