“Arrest me burg” është masa e sigurisë që ka dhënë Gjykata e Apelit, për pronaren e kopshtit “Diren”, Anjeza Shabani, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë. Shabani akuzohet për dhunimin në mënyrë barbare të njërit prej fëmijëve të kopshit.
Në seancën e sotme, ajo është shfaqur e penduar, duke thënë se situata i ka dalë nga kontrolli, dhe se i kishin ngritur një kurth.
“Jam penduar. Situata më doli nga duart. Nuk më shkonte ai gjest, e di. Po ta shihni videon, jam penduar që atë moment. Më ngritën kurth, edukatorja mbante qëndrim neutral”, ka deklaruar Shabani në seancën gjyqësore.
Ajo u arrestua më 20 qershor pas transmetimit të pamjeve të rënda në emisionin “Stop” ku dukej duke qëlluar një fëmijë të mitur. Skandali u thellua edhe më tek kur punonjës të kopshtit “Diren” në Sauk thanë se Shabani ka dhunuar edhe fëmijë të tjerë.
Prindërit e vogëlushit që vendosën t’i vinin kamera dhe të regjistronin sjelljen e Shabanit deklaruar se prej muajsh djali i tyre që kishte probleme me të folurën ishte përkeqësuar dhe rënduar, duke patur makthe. Madje ata sollën edhe një video tjetër ku djali i tyre dukej në gjendje shumë të rëndë dhe nuk mund ta qetësonte asgjë. Ata akuzuan pronaren e kopshtit se ka shkaktuar këtë gjendje të rëndë shëndetësore tek djali.





