Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, me propozim të Ambasadës Italiane në Tiranë, ka nderuar me titullin "Kalorës i Urdhrit të Yllit të Italisë", regjisorin shqiptar, Roland Sejko, për kontributin e tij kulturor në fushën e kinemasë dhe për njohjen mes dy vendeve. “Titulli i dokumentarit tim të parë, ‘Shqipëria- vendi përballë’ ilustron marrëdhëniet mes dy vendeve”, shpjegon Sejko, – që kanë qenë tema kryesore e gjithë punës sime. Shqipëria është vendi që italianët e shohin pothuaj në mënyrë ideale ‘nga ballkoni’.

Materialet arkivore të Institutit ‘Luçe’ janë shpesh pikë kontakti. Raportet e forta deri në vitin 1945, para ardhjes së komunizmit dhe pastaj me zbarkimet në filmin tim ‘Anija’. Mbi materialet arkivore të Institutit “Luçe” është bazuar edhe puna ime e fundit, ‘Arkitektura italiane në Shqipëri’, që është paraqitur gjatë javës së kulturës italiane”. Dhënia e titullit do të bëhet nga ambasadori i ri italian në Tiranë Alberto Cutillo të premten e ardhshme në rezidencën e Ambasadës Italiane në Tiranë. Filmi “Anija” e regjisorit Roland Sejko është shpallur fituesi i çmimit “David di Donatello”, ekuivalenti italian i “Oscar”. Çmimi “Donatello” jepet nga Akademia Italiane e Kinematografisë dhe është vlerësimi më i lartë për një vepër të tillë.

Dokumentari është rrëfimi i një udhëtimi drejt Italisë, kur në vitin 1991 një anije me një ngarkesë të pazakontë, iu drejtua brigjeve italiane. Aty dëshmohen se cilat kanë qenë përpjekjet e njerëzve për t’u ngjitur në ato anije momentin e largimit, por dhe “mikpritjen” e vendit fqinj, Italisë. Filmi është një ndërthurje harmonike mes pamjeve arkivore të gjetura në Arkivin e Filmit, por edhe në kronikat e televizioneve italiane, duke përballur propagandën e partisë me dyndjet e njerëzve drejt bregut. Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Sejko realizoi dokumentarin “Pritja”- udhëtimi i Papës i ka lejuar regjisorit të hedhë një vështrim prapa, në ato 50 vite gjatë të cilave Shqipëria ka qenë e privuar nga çdo liri e fe.

Një vështrim i trishtueshëm dhe i dhembshur që del nga fotot, dokumentet dhe filmimet që regjisori ka nxjerrë nga arkivat shqiptare dhe ato të Institutit “Luce”. Dokumentari është i bazuar pjesërisht në librin “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi. Roland Sejko, është regjisor i dokumentarit “Shqipëria- vendi përballë” (2008). Dokumentari i dytë me metrazh të gjatë “Anija”, i prezantuar në Torino Film Festival, fitoi çmimin David di Donatello si dokumentari më i mirë për vitin 2013. Në vitin 2014 ka qenë kurator artistik dhe regjisor i ekspozitës “Luce imagjinari italiane” në Kompleksin Vittoriano në Romë.

Po në vitin 2014 ka realizuar filmin me metrazh të shkurtër “Hyrja në luftë” bazuar në tregimin e Italo Calvino, si pjesë e filmit kolektiv “9×10 nëntëdhjetë” të prezantuar në Ditët e Shkrimtarëve në Festivalin e 71 të Venecias. Ndër veprat e tij të fundit videoinstalacioni “Sue propie mani” me artistin Adrian Paci paraqitur në Muzeun Maxxi në Romë. /Gazeta Shqiptare/