Është e trishtueshme ta thuash, por duket se gjithmonë ikin më të mirët. Në rastin tonë, Albert Dreni, 18-vjeçari nga Shqipëria që ishte integruar shumë mirë me jetën në Itali. Për të nuk ka më shpresa, ai nuk do zgjohet dot më nga koma në të cilën u fut pas mbrëmjes së 3 korrikut

Janë këto fjalët me të cilat tabloidi italian "Il Giornale" nis artikullin që i ka dedikuar djaloshit shqiptar nga Kukësi, Albertit, i cili u godit me thikë pasi ndërhyri për të mbrojtur shokun e tij.

"Shoqata 'CaMinori', që i ka qëndruar pranë djaloshit që nga momenti kur ai mbërriti në Itali, tregon sesi Alberti u ambientua kaq shpejt me jetën në Itali, madje ai sapo kishte marrë dhe patentën dhe tregohej shumë i kujdesshëm me rregullat. Punonjësit i referohen Drenit si një djalë me shumë dëshirë dhe vullnet për punën. Në gjashtë muaj punë, ai nuk kishte munguar asnjë ditë të vetme" vijon shkrimi. 

Djaloshi nga Shqipëria është viktima e sulmit të një bande të përbërë nga 3 të rinj amerikano-latinë. Sulmi me thikë i ka shkaktuar 18-vjeçarit tashmë në koma, një plagë që ka dashur ndërhyrjen e mjekëve me 120 qepje.

Ngjarja ka ndodhur në një stacion trami, ku kanë qenë duke ndenjtur shqiptari dhe disa djem të tjerë me origjinë nga vende të ndryshme. Lideri i bandës kriminale i është afruar njërit prej shokëve të Albertit duke e tallur dhe ngacmuar. Në atë moment ka ndërhyrë 18-vjeçari në mbrojtje të shokut të tij, mirëpo kaq ka mjaftuar që ndaj tij të nisë sulmi me thikë. Djaloshi është qëlluar 4 herë pranë zemrës, duke i shkaktuar vdekje celebrale, gjë që është konstatuar nga mjekët direkt pas transportimit në spital.

Pavarësisht se ditën e sotme nga mediat italiane shkruhet se ai nuk ka më asnjë shpresë, miqtë shqiptarë dhe italianë të Drenit vazhdojnë besojnë dhe shpresojnë që ai do ia dalë.