Përveç taksës së sheshtë 9% dhe uljes së taksave, për industrinë e prodhimit Partia Demokratike do të ketë një paketë të veçantë lehtësuese që do të perfshijë uljen e çmimit të energjisë, naftës, si dhe lehtësira në lidhje me TVSH për lëndën e parë. Kjo u deklarua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me sipërmarrës dhe punëtorë të fabrikës “Migo Blind”, në Durrës.
Duke bashkëbiseduar me sipërmarrësin dhe punonjësit e kësaj sipërmarrjeje private, kreu i selisë blu theksoi se “ulje e kostos së prodhimit do të thotë rritje e eksportit, rritje e prodhimit, më shumë vende pune dhe paga më të larta për ju. Për biznesin në tërësi ne kemi një paketë taksash, taksë e sheshtë 9%, kontributi shoqëror 18%. Por për prodhimin në veçanti na duhet një paketë e veçantë që të ulë koston e prodhimit, që ka të bëjë me energjinë elektrike, me çmimin e naftës, ka të bëjë me TVSH-në për lëndën e parë dhe me aspekte të tjera që ne po i diskutojmë.”.
Nga ana tjetër, pronari i fabrikës së prodhimit të kartonit në Porto Romano theksoi se si pasojë e rritjes së taksave dhe kostos së prodhimit prej 3 vitesh nuk ka rritur dot asnjë pagë ndërsa para 3 vitesh ato rriteshin vazhdimisht.
Biznesmeni, pasi vuri theksin në investimet që kanë bërë për të bërë një kabinë elektrike, sepse në të kundërt sipas tij nuk furnizohej dot biznesi i tij me energji, kërkoi nga kryetari Basha uljen e çmimit të energjisë.
“Problem i madh çmimi i energjisë. I gjithë rajoni paguan 5 cent energjinë elektrike, ne e paguajmë 10”,- tha biznesmeni.
Edhe punonjësit e fabrikës nënvizuan gjendjen e vështurë ekonomike që po kalojnë familjet e tyre dhe kërkuan nga Partia Demokratike që me ardhjen në pushtet të favorizojë politika ekonomike lehtësuese, sidomos për sipërmarrjet që punësojnë një numër të madh njerëzish.
Zoti Basha theksoi gjatë takimit se përmes politikës së taksave të ulëta, përmirësimit të klimës së biznesit, reduktimit të burokracisë dhe uljes së kostos së prodhimit synohet rritje e investimeve vendase dhe të huaja, rritje e numrit të të punësuarve dhe rritje pagash.





