Arrestohet banda italo-shqiptare e grabitësve, e akuzuar për grabitjen e një të moshuare 84-vjeçare në Itali, që kishte fituar lotarinë.

Policia italiane ka prangosur dy shqiptarët, Pashk Pjetri 25-vjeç dhe Zef Ndreca, 24-vjeç. Në pranga kanë përfunduar edhe dy italianë, Giuseppe Annacarato, 33-vjeç dhe Cristiano Quaglia, 38-vjeç, ndërkohë që një tjetër mbetet në kërkim.

Mediet italiane raportojnë se Mariangela Prandi, 84-vjeç ishte e varfër dhe mezi arrinte të nxirrte fundin e muajit. Por ajo ishte e dashur me të gjithë e për këtë arsye fqinjët e ndihmonin. Pasditen e 21 qershorit të vitit 2015, ajo u gjet e pajetë në banesën e saj.

Pas dëshmive të fqinjëve doli në dritë se gruaja kishte organizuar një festë modeste me fqinjët, pasi kishte fituar lotarinë, plot 4300 euro.

Dy persona me precedentë penale, pasi ishin informuar për paratë që kishte fituar e moshuara porositin bandën e tre shqiptarëve të specializuar në grabitje.

Ata i futen në banesë të moshuarës, e lidhin me nastro, grabisin çfarë mundin dhe tentuan të largohen. E moshuara arriti të zgjidhej dhe deshi t’i ndiqte, por pësoi infarct.

Vetëm sot, pas rreth një viti, policia ka mundur të arrestojë dy shqiptarët dhe dy italianët të lidhur me grabitjen me pasojë vdekjen e të moshuarës.