Ka arritur të tërheqë vëmendjen jo vetëm me pamjen e saj prej një vajze rebeleje, por edhe me iniciativat e gjestet e bamirësisë. Sara Kapo identifikohet shpesh si vajza e aktores së mirënjohur Ema Andrea, por pavarësisht krenarisë që modelja ndjen për mamanë e saj, nganjëherë revoltohet. “E kuptoj që është një emër i madh në Shqipëri, por më lejoni të kem individualitetin tim”, rrëfen Sara në këtë intervistë për “Summer Pages”, ku mes të tjerave na rrëfen detaje nga bashkëpunimi me Flori Mumajesin dhe Ledri Vulën, vendimin e saj për t'u bërë qerose dhe planet e saj në muzikë.

Si u bëre protagoniste e klipit të Flori Mumajesit dhe Ledrit dhe pse mendon se të donin ty për atë video?

Ishte çështje teknike dhe pak rastësi. Në fillim donin një vajzë tullace, me sy me ngjyrë dhe rastësia që dhurova flokët pikërisht për kauzën, mendoj se më bëri një kandidate akoma më të përshtatshme për rolin. Zgjedhja deri tek unë ka ardhur nga sugjerime dhe kërkime në rrjete sociale. Bisedova me regjisorët, u takuam për prezantimin e skenarit dhe idesë, e kështu, realizuam klipin një javë më vonë.

Mendon të bëhesh pjesë e botës së muzikës, apo ndjehesh më mirë si modele?

Mendoj se ka një ndryshim të madh mes të qenit modele dhe të kesh disa foto profesionale e të kesh ecur disa herë në pasarelë. Unë hyj tek kategoria e dytë dhe nuk mendoj kurrsesi se mund të quhem modele. Absolutisht që do të doja shumë të hyja akoma më thellë botës së muzikës, duke realizuar një projekt personal ku të jem edhe protagonistja, por edhe ajo që hedh zërin.

Në video shohim dy këngëtarët të qethen qeros. I detyroi Sara ta bënin këtë?

(Qesh) Jooo! Ishte pjesë e skenarit, ishte një gjest dhe i ka dhënë akoma më shumë “BOOOM” klipit. Doja t’ua mbushja mendjen të qetheshin akoma më shkurt, por nuk ia dola dot.

Jo shumë vajza kanë guxim të vijnë me look-un që ke zgjedhur ti. Ndjehesh më seksi qeros?

Mendoj se të jesh seksi do të thotë të jesh rehat me veten tënde. Unë jo rehat që ndihem, por kam hyrë fiks në karakterin tim me këtë tullën dhe madje më është rritur vetëbesimi. Stili “standard” nuk më ka pëlqyer kurrë dhe më vjen mirë që kam disa ndjekëse. Unë kam qenë nga ato vajzat me flokë deri pranë vitheve, i trajtoja një herë në javë me vajra, apo maska, i lyeja me bojëra organike dhe tranzicioni ditët e para më tronditi, por aq zgjati, vetëm 24 orë.

U bënë kohë tashmë që je bërë pjesë e showbiz, por kryesisht nëpër tituj të cilësojnë si vajza e Ema Andreas. Të vjen keq për këtë, apo beson së është komode?

Mendoj se është problem i të tjerëve, që duan patjetër të më cilësojnë si vajza e Ema Andreas. Jo se nuk jam komode, por në shumë raste, emri i saj nuk është i nevojshëm fare, siç nuk e kam pasur të nevojshëm për të ecur në çdo hap të jetës. E kuptoj që është një emër i madh në Shqipëri, por më lejoni të kem individualitetin tim. Për Emën, nëse gazetarët do bënin “detyrat e shtëpisë” mund të përflitej për dhjetëra projekte të mëdha që ka bërë si në Shqipëri si jashtë saj. E kuptoj që ngjajmë në shumë gjëra, por unë jam Sara, Ema është Ema!

Foto nudo, flokë të prera, pjesëmarrje në protesta… Dëshiron të thyesh tabu, të ndryshosh mentalitetin e shoqërisë?

(Qesh) Dhe jo vetëm… Bashko këtu, botën e tattoo-ve (në trup dhe duke mësuar për t’i bërë), 2 punë, ish-sportiste, ironizimin e vetes 24 orë, shtoji këtu fizikun dhe njerëzit çorientohen komplet sepse e kanë të vështirë të më vendosin një etiketë (qesh). Thyerjen e tabuve e bëj padashur, ndoshta nga naiviteti kundrejt mendimit të shoqërisë, apo nga nevoja të shprehem lirshëm. Përsa i përket mentalitetit, më vjen mirë që paskam përcjellë paksa këtë mendim. Të thyesh mentalitet në Shqipëri do të thotë të thyesh rregulla, por para se të thyesh rregullat, duhet t’i dish ato në majë të gishtave. Fakti që punoj, shumë, lexoj, përpiqem të edukoj veten nga shumë fusha, më jep lirinë që të thyej barrierat e shoqërisë me logjikë dhe pa dhunë. Përgjithësisht të tjerët kanë pritshmëri të tjera nga unë: Të jem e egër, të drogohem, të jem mendjemadhe, të kem nja 2 vrasje në dosje, kur në fakt habiten se sa e ndjeshme dhe e përulur jam.

Të kemi parë shpesh në nisma bamirësie, ose më mirë të themi të ngresh zërin për njerëz në nevojë. Ke pasur dikë sëmurë që të ka bërë më të ndjeshme ndaj tyre, apo thjesht solidarizohesh?

Për fat të mirë, nuk kam pasur raste të tilla në familje apo në rrethin e ngushtë shoqëror, por nuk do të thotë që duhet të qëndroj indiferente kundrejt të tjerëve me më pak fat se unë. Kriza në shoqëri vjen kur në fillojmë të jemi indiferentë ndaj fenomenve që nuk na prekin personalisht. Në rastin e vendit ku jetojmë, ku shteti është thuajse indiferent në mbarëvajtje, duhet thjesht të gjithë të jemi pak më të dashur dhe pozitivë për t’i dhënë një dorë njëri-tjetrit. Ndoshta ndihmat që jap unë, si materiale, monetare, shpirtërore, apo qoftë edhe vende pune, nuk do të jetë shpëtimi, por ndonjëherë njerëzit kanë nevojë të ndihen të dëgjuar. Bamirësitë e mia nuk i bëj për t'u dukur, por për të fjetur më mirë në darkë. Në rastin e flokëve, e kam thënë edhe më përpara, duhet të bëja të ditur tek njerëzit që edhe kjo formë bamirësie ekziston në Tiranë dhe mund ta bëjë kushdo prej jush.

Si i ke raportet me Florin dhe Ledrin? Dukeshit mjaft të afërt në klip…

Në fakt nuk kam asnjë raport (qesh). I njoha aty, xhiruam dhe shkuam në shtëpi. Edhe më vonë, nuk kemi komunikuar thuajse fare, përveç falënderimeve dhe ndonjë shaka tek tuk, por aq. Dukemi të afërt ndoshta, sepse na bëri atmosfera dhe nevoja për të xhiruar klipin të dukeshim të dashur me njëri-tjetrin.

Të kanë ngacmuar djemtë gjatë xhirimeve?

Çunat jo që nuk më kanë ngacmuar, por janë treguar kaq të sjellshëm dhe të kujdesshëm që unë të ndihesha rehat tërë kohës, sa më ngeli në mendje ajo lloj sjellje gentleman-i. Duke filluar që në shtrëngimin e parë të dorës, e deri kur më përcollën deri poshtë derës së pallatit.

Do të shohim sërish në bashkëpunime me ta, apo artistë të tjerë?

Nuk e di është akoma herët për të vendosur. Të kalojë një herë ky vrulli i klipit pastaj të vendos se çfarë do bëj.

Ke një mesazh për vajzat e “ndrojtura”?

Ec o goc se një jetë kemi! Dielli prapë do dalë nesër! (qesh)