Nga Mentor Kikia

Letra e deputetit Vladimir Kosta nuk është as më shumë dhe as më pak por dëshmia(një nga) se si funksionon politika jonë. Nuk po konsideroj as fjalorin, as arsyet. Disa e quajnë trim se ia përplasi Ramës në fytyrë, e disa pazarexhi që iku meqë nuk mori ato që deshi (dhe mua kështu më duket në fakt).

Por, përtej kësaj, unë mendoj se ulëritëse është ajo që ai tregon përmes atij tregimi të mjerueshëm nga të gjitha drejtimet. Mënyra se si merren votat, se si financohet fushata, si blihen mediat, si blihen votat, si ndërtohen ura e rrugë elektorale… Se si kandidatët për deputet, me paratë e tyre, bëjnë investime një përdorimshe, ngrenë ura, shtylla elektrike, lyejnë shkollat me bojë, grisin blloqet e borxheve nëpër dyqanet ushqimore, shpërndajnë para në dorë nëpër shtëpi….Dhe këtë e bëjnë për të marrë vota, e për t’i marrë mbrapsht ato para shumëfish. Ky është tregues se si dhe përse politika tërheq biznesmenë në gjirin e saj. Si biznesi hyn në politikë më shpresën se do të “hedhë” ca para për t’i marrë dhjetëfish më pas, (fjalë e bukur kjo, hedh lekë, njësoj si në dasmë). Pra kjo është dëshmi e llumit ku është zhytur politika. Para të pista, para mashtrimi, para ryshfetesh që prodhojnë korrupsion e ryshfete njëqind herë më të mëdha më pas. Ky është shkaku që në parlament ka më shumë tregtarë e ndërtues sesa politikanë. 

Ndaj pa transparencë financiare të partive nuk ka demokraci e nuk duhet të ketë votë fare. 
Kjo politikë duhet refuzuar në tërësi!