Në një deklaratë për shtyp sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka ngritur akuza ndaj Edi Ramës, ku ka thënë se ai ka futur 80 mijë dollarë në mënyrë të paligjshme në fushatën e Obamës.
“Shtetasi i huaj numër 2, ose Edi Rama, që sipas FBI-së amerikane ka përfituar nga krimi federal i futjes së paligjshme të 80 mijë dollarëve në fushatën e Obamës, prej dy javësh ndodhet publikisht nën akuzë, por hesht, nuk jep asnjë sqarim.”- tha Duma.
Më tej ajo u shpreh se shtetasi i huaj numër 2, doli nga hetimet që u bënë ndaj Bilal Shehut në Amerikë, i cili u përdor nga Edi Rama për t’i mundësuar në tetor të vitit 2012 një foto me presidentin Obama, foto që e përdori në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013 kur erdhi në pushtet.
Për këtë krim, për futjen e parave nga një burim i huaj në fushatën presidenciale në Amerikë dhe për përfituesin, shtetasin e huaj numër 2, që është Edi Rama, kanë shkruar Reuters, Washington Post, Zëri i Amerikës, Daily Mail, Associated Press, the Guardian, pra media lider në botë e shumë të tjera.
Por Edi Rama hesht.
Hesht shtetasi i huaj numër 2, përfituesi i krimit federal, sepse nuk tregon dot burimin e 80 mijë dollarëve.
Pse nuk e tregon dot Edi Rama se nga erdhën 80 mijë dollarët, kush është burimi, kush është donatori?
A janë ato para të pista, para droge, para trafiku, para biznesi kriminal?
Eshtë kjo arsyeja pse Edi Rama hesht?
“Shtetasi i huaj numër 2 nuk i ka bërë mirë llogaritë. Heshtja nuk e ndihmon të mbyllë skandalin, siç shpreson.
Përkundrazi, e rëndon edhe më shumë pozicionin e tij, dhe kjo heshtje verteton se krimin federal, Edi Rama e investoi me me një tjetër krim, me futjen e parave të pista në fushatën presidenciale të Amerikës”,- përfundon deklaratën sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun e PD.





