Durrësi po furnizohet me ujë të pijshëm me të njëjtin nivel si në vitet e shkuara. Pavarësisht rritjes së numrit të popullsisë e të turistëve, është i njëjti tub që vjen nga Fushë Kuqja në Durrës e shpërndahet në depo sipas të gjitha lagjeve të Durrësit.
Problematika vihet re çdo sezon veror, e kryesisht në pikun e të nxehtit. Situatën e krijuar e komenton prefekti i Durrësit.
“Prej ditësh Durrësi dhe zonat jashtë tij, kanë problemë të furnizimit me ujë të pijshëm, por ndërmarrja është në gatishmëri dhe ka kaluar në situatë emergjente. Objektivi kryesor i ndërmarrjes së ujësjellësit është përpjekja për të luftuar abuzimet dhe për të furnizuar qytetarët me ujë të pijshëm, duke pasur prioritet zonat turistike”, deklaroi prefekti i Durrësit Roland Xhelili, në një prononcim për “DurrësLajm”.
Xhelili nënvizoi se “në këtë sezon, nevojat dhe problematikat janë prezente. Stina e nxehtë ka rritur nevojat dhe kërkesat e popullatës e të turistëve për ujë të pijshëm, është problem sepse furnizimi i Durrësit është në nivelet e disa viteve më parë. Vetëm me përfundimin e investimeve madhore që po kryhen, presim përmirësim të situatës vitin e ardhshëm”, nënvizoi prefekti.
Xhelili thekson se të gjithë abuzuesit, ata që shesin ujin e pijshëm me autobote, përbëjnë vepër penale, e do të përballen me drejtësinë.
K.H.





