Nga dënimi maksimal me 15 vite burg për armëmbajtje pa leje, dënimi për këtë vepër penale pritet të reduktohet në 7 vite.
Është ky propozimi i paraqitur nga qeveria shqiptare me anë të një projektligji për ndryshimin e kodit penal pas shpalljes si antikushtetues të ashpërsimeve të dënimeve të bëra më 5 dhjetor të një viti më parë dhe pse ashpërsimet u argumentuan si masa të luftës ndaj krimit të organizuar dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale.
“ReportTv”, e cila ka siguruar një kopje të projektligjit, shkruan se ai është depozituar në Kuvend më 30 qershor të këtij viti dhe aktualisht pritet shqyrtimi i tij në komisione parlamentare e më pas miratimi me votat e deputetëve.
Përgjysmimi i dënimit maksimal për armëmbajtjen nuk është i vetmi ndryshim me dënimet ekzistuese, pasi ulje kanë pësuar dhe disa vepra të tjera lidhur me armëmbajtjen apo tregtimin dhe trafikimin e municioneve.
Prodhimi, shit-blerja, ofrimi për shitje, tregtimi apo transporti i municioneve luftarake dhe lëndëve plasëse i armëve shpërthyese pa lejen e organeve shtetërore propozohet të ketë një dënim nga 5 deri në 10 vite maksimumi, ndërsa me ndryshimet e shfuqizuara nga kushtetuesja ishte 5 deri në 15 vite.
Ulje dënimi ka pësuar dhe armëmbajtja pa leje në banesë për të cilën propozohet një dënim me 1 deri në 3 vite burg, nga 1 deri në 5 vite që ishte më parë.
Mbajtja pa leje e lëndëve shpërthyese përfshi mina, bomba, tritol dënimi propozohet të jetë nga 1 në maksimumi 4 vite duke përgjysmuar kështu dënimin që ishte më parë nga 5 vite në 8 vite maksimumi.
Ligjvënësi propozon ulje dënimi dhe për armët e ftohta dhe tregtimin e tyre duke e çuar dënimin në 1 deri në pesë vite burg nga 3 deri në 8 që ishte aktualisht për “armët e ftohta si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, pa lejen e organeve kompetente”.
/Report Tv





