*Ja atmosfera e mbrëmshme në plazhin e Currilave

Të rinjtë e kryeqytetit zbarkojnë në Durrës për të ndjekur koncertin e Chris Brown, rreperit amerikan.

Nata e shkuar ka qenë e gjatë për qindra të rinj, kryesisht të pasurit e kryeqytetit e më pak nga Durrësi, të cilët kanë ndjekur koncertin e rreperit Brown. Kanë qenë me dhjetëra makina luksoze të cilat kanë ndalur në Currila mbrëmjen e shkuar, ndërsa trafiku ka shkuar në më shumë se dy km.

Sapo ka rënë muzgu, të rinjtë e kryeqytetit dhe të pasurit e Durrësit, kanë zbarkuar në Currila, ku konkurrenca e parë niste nga automjetet që ngisnin, e më pas nga veshjet e çdo aksesor në trup.  Të rinjtë me sharm dhe elegancë, kanë pritur këngëtarin e cili ka mbërritur pas orës 01.00 të natës në lokal.

Policia e Durrësit ka vënë nën masa të larta sigurie të gjithë rrugën që të çon në Currila, ndërsa nën monitorim të rreptë është mbajtur e gjithë zona turistike. Këngëtari ka mbërritur nën masa të larta sigurie ndërsa koncerti ka përfunduar rreth orës 5 e 30 të mëngjesit.