457 kg kanabis sativa është sasia e lëndës narkotike që u sekuestrua mbrëmë në portin e Durrësit, që do të trafikohej drejt Italisë me kamion.
Pas peshimit të saktë të të gjithë drogës, sot, policia e Durrësit jep shifrat zyrtare të kanabisit të sekuestruar, për të cilën fillimisht u tha se ishin rreth 700 kg.
Për këtë trafik narkotikësh u arrestua 48-vjeçari Robert Resuli, lindur në Tiranë dhe banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin që po ai drejtonte, me targa AA 283 MZ, i ngarkuar me aksesorë mobiliesh, iu gjet e fshehur afro gjysmë ton drogë.
Arrestimi tij u bë në vendin e quajtur vija e dytë në P.K.K. Porti Durrës, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative.
Kjo çështje i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.





