Pasditen e sotme, reperi i njohur Chris Brown ka zbritur në aeroportin e Rinasit, ku kanë rënë në sy masat e rrepta të sigurisë, ndërsa më pas ai është nisur drejt Tiranës, ku mësohet se është akomoduar në hotel “Plaza”.

Brown ndodhet në Shqipëri për të dhënë koncert në një klubet e natës të qytetit të Durrësit.

Ishte vetë reperi i njohur, që ditë më parë, pikërisht më 14 qershor, publikoi në Instagramin e tij datat e ardhshme të shfaqjeve që do të mbante.

Mes një serie koncertesh kryesisht në Spanjë, Chris Brown, kishte vendosur të kalonte edhe nga Shqipëria.

Ish-i dashuri i Rihannas, në një publikim zyrtar bëri me dije se në 8 korrik do të ishte në Durrës.

E pikërisht në qytetin bregdetar, çmimet kanë kapur “qiellin” në klubin e natës, ku do të përformojë reperi i njohur.

Një ditë më parë, Durrës Lajm publikoi çmimet mjaft të kripura të tavolinave për ata që do të ndjekin live performancën e Brown.

Ndërkohë sot, pak orë para koncertit të Brown në Durrës, shumë të rinj të intervistuar nga Durrës Lajm pranuan se e dinin që ish- i dashuri i Rihanës do të vinte për të dhënë koncert, por nuk mund ta ndiqnin për shkak të çmimeve stratosferike.

Sipas tyre, vetëm fëmijët e politikanëve dhe biznesmenëve të kamur shqiptarë mund të përballonin tarifa të tilla të tavolinave, ku më minimalja ishte 20 mijë lekë të reja e maksimalja 3000 euro.