Shtatë persona humbën jetën, ndërsa tetë të tjerë mbetën të plagosur pasi një helikopter ushtarak turk u rrëzua në provincën Giresun në Turqinë veriore.
Mediat turke raportojnë se helikopteri u rrëzua në rajonin malor Tohumluk, rreth orës 5:30 pasdite të së martës sipas orës lokale.
Në helikopterin tip “Sikorsky S-70” udhëtonin 15 persona, mes tyre ushtarakë turq, përfshirë komandantin Mustafa Dogru, një kolonel, dy majorë dhe pjesëtarë të xhandarmërisë, së bashku me gra dhe fëmijë të ushtarakëve.
Ai ishte rrëzuar pas vizitës që komandantët e lartë ushtarakë u kishin bërë ushtarëve për festën e Bajramit.
Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, e ka përjashtuar mundësinë që helikopteri është rrëzuar nga ndonjë sulm, duke thënë se është njoftuar “se ishte një aksident që ka ndodhur thjesht nga kushtet e vështira të motit”.





