Ende mister fati i kapitenit të anijes “Çelepia 2” që u rrëmbye nga marinari egjiptian.

Pasi kanë kaluar 17 ditë nga rrëmbimi i anijes “Çelepia 2” nga egjiptiani Adel Mohamed Salam, familjarët e kapitenit të anijes, Dhimtër Malaj, nuk kanë asnjë informacion për fatin e tij.

Këtë të fundit, Salam nuk e ka ekspozuar në asnjë fotografi, sikurse bëri për marinarin Luan Mema si dhe nuk ka dhënë asnjë lloj informacioni gjatë kohës që ishte në kërkim.

Shpresa e vetme për të mësuar detaje nga rrëmbimi dhe mbi fatin e kapitenit është kthimi i marinarit Luan Mema, i cili u gjet në kushte të mira shëndetësore në hambarin e anijes. Ai ndodhet ende në Egjipt, ku po mbahet nga autoritetet që po hetojnë mbi këtë ngjarje me qëllim zbulimin e vendndodhjes së kapitenit.

“Kanë kaluar 17 ditë nga zhdukja e babait dhe nuk kemi asnjë informacion se çfarë mund të ketë ndodhur. Kemi dëgjuar fjalë të ndryshme, por përpiqemi të mos u besojmë. Kemi dëgjuar se e ka hedhur në det. Sikur e ka lëshuar katër ditë para se të arrestohej për t’u kthyer në shtëpi. Kanë kaluar shumë ditë dhe shpresat tona dita-ditës veniten. Nuk dimë çfarë të mendojmë, mendja na shkon për më të keqen. Shpresa vdes e fundit, ndaj shpresojmë se do të ndodhë ndonjë mrekulli”, tha për “Panorama” i biri i kapitenit, Damjan Malaj.