Në fund të muajit të sakrificës të gjithë besimtarët myslimanë kanë nxituar në treg, për të bërë shpenzimet e fundit. Tradita e kësaj feste të madhe për të gjithë komunitetin mysliman është të mblidhen së bashku e gjithë familja në drekën e Bajramit. Dreka duhet të jetë e bollshme me bazë mishin e pjekur dhe ëmbëlsirat. Blerja e mishit të freskët një ditë para për drekën e Bajramit ka bërë që qytetarët të dynden në treg. Kërkesa e besimtarëve është mish i freskët qengji, keci dhe vici. Besimtarët thonë se Fitër Bajrami do të thotë të sakrifikosh e të falësh për të varfrit.
Por tregtarët e mishit e kasapët, thonë se blerjet kanë rënë në maksimum. Çmimet janë po njësoj në treg, një kg mish viçi, qengji dhe keci kushton 800lekë. “Konsumatorët janë të kursyer, ekonomia e tyre ka rënë. Maksimumi blejnë një apo 2 kg mish të freskët, sa para kanë aq edhe blejnë. Vitet e shkuara blerjet kanë qenë të mëdha, por ekonomia e familjeve ka ardhur në rënie”, thonë kasapët.
Të paktë janë edhe qytetarët që blejnë gjela apo pula deti. Çmimet janë dukshëm më të lira se në dimër, por kërkesa në treg është e ulët. Një pulë deti shkon deri në 2500 lekë.
Para drekës së Bajramit është rritur kërkesa edhe për produktet e tjera, të fruta-perimeve e zarzavateve.
K.H.





