Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagoi për herë të parë për grabitjen spektakolare në Rinas, duke theksuar se kjo ngjarje është e rëndë dhe se është cenuar siguria kombëtare.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Tahiri i cilësoi të çuditshme deklaratat e koncesionit të Rinasit, duke theksuar se kontrata me kompaninë duhet të rishikohet.

“Unë besoj se hetimi do të zbardhë gjithçka. Është ngjarje shumë e rëndë sepse cenon jo vetëm rendin publik, por edhe sigurinë kombëtare. Ju ftoj të jeni më të vëmendshëm lidhur me institucionet që kanë përgjegjësi në aeroportin e Rinasit. Ka që në 2004-n një kontratë koncesionare e cila ndalon policinë të kujdeset për sigurinë në aeroportin e Rinasit. Policia kujdeset për sigurinë e udhëtarëve në terminal. Bëhet fjalë për masat në terminalin e udhëtarëve. Unë besoj se kontrata koncesionare duhet riparë sepse nuk mund të ecet përpara me këtë lojë kukamfshehti se kush e ka fajin”, u shoreh Tahiri.

Ai u shpreh se ka ende shumë punë për të bërë, dhe thotë që dita e zbardhjes së ngjarjes dhe arrestimit të autorëve nuk do jetë shumë e largët.

“Deri në atë moment na duhet të shohim sistemin që duhet të garantojë paprekshmërinë. Duhet të vlerësojmë mekanizmat e sigurisë në Rianas që duhet ta parandalonin. Dera nuk hapet nëse nuk ta hap operatori brenda. Si mund të hyhet në aeroportin e Rinasit dhe askush nuk e merr vesh dhe e merr vesh pasi del makina”, shtoi Tahiri.

“Unë nuk merrem me detajet e ngjarjes, po i heton prokuroria, nëse policia do kishte policia përgjegjësi sot do ishin duke mbajtur përgjegjësi njëlloj siç mbajnë përgjegjësi ata të kompanisë private të sigurisë dhe të koncesionarit. Unë them që jemi në kohë për të garantuar maksimumin që sistemi të mos dështojë. Shqipëria ia ka besuar me një kontratë koncesionare që në vitin 2005, sigurinë dhe menaxhimin e aeroportit një kompania private, në këto kushte kompania duhet të plotësojë detyrimet. Nuk po shmang përgjegjësinë e policisë së shtetit, sepse besoj që policia duhet të bëjë më shumë, kemi bërë shumë për të pastruar policinë nga të korruptuarit”, përfundoi ministri Tahiri.