Gjatë muajit qershor, policia e Durrësit ka vijuar zbatimin e planit të masave, ku është krijuar një Task-Forcë, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e elementëve të sigurisë në rrugë.

Pjesa më e madhe e drejtuesve të mjeteve u këshilluan në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor si:

• vendosjen e rripit të sigurimit gjatë drejtimit të automjetit dhe të kaskës gjatë drejtimit të motorçikletave;

• mospërdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;

• mospërdorimin e pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit;

• respektimin e sinjalistikës rrugore në tërësi;

• dhënie përparësi kalimi të moshuarve dhe fëmijëve(qëndrimin e fëmijëve vetëm në sedilen e pasme);

• uljen e shpejtësisë dhe vëmendje maksimale në rrugët dhe kryqëzimet afër shkollave;

• pajisjen me dokumentacionin dhe leje drejtimi  të mjeteve që posedojnë.

Rëndësi e veçantë u është kushtuar drejtuesve të automjeteve me kapacitet 6+1, furgonëve dhe autobusëve, të cilët nuk janë të pajisur me licencë për ushtrimin e veprimtarisë së transportimit të individëve apo nuk i pajisin ato me biletë udhëtimi.

Në kuadër të këtyre masave, gjatë gjithë muajit qershor, janë marrë këto masa në të gjithë Qarkun e Durrësit:

• janë konstatuar dhe janë sekuestruar 32 mjete;

• janë arrestuar në flagrancë 11 shtetas duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur;

• janë arrestuar në flagrancë 13 shtetas duke drejtuar mjetet pa leje drejtimi;

• janë vendosur 6179 masa administrative;

• janë konstatuar dhe ka filluar procedimi penal në ngarkim të 15 shtetasve, të cilët drejtonin mjetet pa leje drejtimi;

• janë pezulluar 406 leje drejtimi pasi drejtuesit e tyre ishin nën efektin e alkoolit apo shpejtësi tej normave të lejuara;

• janë konstatuar dhe ka filluar procedimi penal në ngarkim të 4 shtetasve, drejtues furgonësh dhe autobusësh,  pasi nuk kishin pajisur udhëtarët me biletë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës do vijojë kontrollet edhe në ditët në vazhdim.