Katër ditë pas grabitjes spaktakolare në aeroportin e Rinasit, në një deklaratë për mediat, drejtoresha për marrëdhëniet me publikun e “Tirana International Airport”, Arlinda Çausholli, ka folur në lidhje me ngjarjen.

Sipas Çaushollit, TIA ka njoftuar në kohë Policinë e Shtetit për grabitjen, ndërsa thekson se punonjësit e policisë ishin në pistë në momentin që ndodhi grabitja.

Çausholli akuzoi policinë se raporti për grabitjen është i pasaktë, ndërsa vendi ku hynë autorët e grabitjes ruhet nga Policia e Shtetit.

“TIA ka zbatuar me përpikmëri njoftimin në kohë të policisë. Njoftimi i TIA për policinë është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë se ky njoftim është kryer nga menaxheri i operimit në detyrë i TIA-s, kundrejt sallës operative të policisë në Rinas. 

Punonjësit e policisë kanë qenë prezentë në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. Këtë e vlerësojmë si saktësi të domosdoshme informacioni.

Kompania ICTS është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale, shërbim që nuk e zëvendëson dhe as e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e policisë së shtetit.  ICTS nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht, ICTS vepron e paarmatosur, e vetmja forcë e armatosur është policia e shtetit.

Sa i takon ruajtjes së rendit jashtë gardhit të aeroportit nga ku ka hyrë makina, kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e Policisë së Shtetit. 

Sipas ligjit, Policia e Shtetit duhet të sigurojë patrulla në të gjitha zonat e aeroportit duke parandaluar çdo aktivitet të paligjshëm. TIA është në dispozicion të autoriteteve që po hetojnë ngjarjen e gatshme për të zbardhur ngjarjen dhe zbulimin e fajtorëve”, deklaroi Çausholli.