Përplasja e “Titanëve” në Bordo ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë ishte një ndeshje ku u barazuan dhe u thyen shumë rekorde. Një ndeshje që përpos emocioneve të forta dhe ankthit, nuk mund të mos dhuronte edhe statistika interesante për t’u analizuar.

Italianët u mposhtën me 11-metërsha dhe i dhanë lamtumirën Euro 2016, ndërsa për ironi, precedenti i vetëm i të kaltërve në Bordo ishte mbyllur me një barazim në kohën e rregullt. Bëhet fjalë për Botërorin ’98, ku Italia barazoi 2-2 me Kilin. Gjermani-Itali ishte edhe një sfidë ndërmjet dy skuadrave me pak ndryshime në brezin e lojtarëve: 11 nga 22 titullarët e ndeshjes, kishin luajtur edhe në gjysmëfinalen e vitit 2012, të fituar nga të kaltërit. Shtatë prej tyre te “panzerat” dhe 4 nga italianët. Rekord për gjermanët ishte kualifikimi përballë Italisë në një turne madhor, një rezultat historik, ndërsa “të kaltërit” u eliminuan për të tretën herë në 5 ndeshje ku janë gjuajtur penalltitë në Kampionatin Europian.

Natë historike për gjermanët në përgjithësi, por edhe për Bastian Schëeinsteiger në veçanti. Mesfushori barazoi rekordin absolut me 37 ndeshje mes Kampionatit Europian dhe Kupës së Botës. Një primat i destinuar të thyhet, me aktivizimin në gjysmëfinale. Për më tepër, lojtari i Manchester United barazoi një gjerman në krye të këtij klasifikimi, ish-sulmuesin Miroslav Klose. “Panzerat” vuajtën përballë Italisë, duke regjistruar gjuajtjen e parë drejt portës vetëm në minutën e 41-të, diçka që nuk ndodhte prej Europianit të vitit 1980.

Por, nëse gjermanët vuajnë ndaj të kaltërve, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Mesut Ozil. Organizatori i Arsenalit realizoi golin e tretë në 5 ndeshje ndaj Italisë, që kthehet në kundërshtarin e tij të preferuar. Një sfidë epike si ajo e së shtunës, nuk mund të kalonte kurrsesi pa lënë shenjë në Euro 2016.