Këtë sezon veror, pishinat në të gjithë vendin janë brenda parametrave të përcaktuara dhe në respekt të rregullave të higjienës.

Kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda, në një intervistë për “Ora News” thekson se që në nisje të sezonit janë monitoruar 66 pishina në të gjithë vendin, uji i të cilave në bazë të analizave të bëra është brenda standardeve.

Higjiena sanitare dhe kushtet teknike duhet t’i respektojë çdo biznes, në të kundërt, kreu i ISHSH-së paralajmëron masa administrative deri në heqjen e licencës.

Ai gjithashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mos të frekuentojnë ato pishina të cilat nuk kanë të afishuar rregulloren e funksionimit të tyre dhe kushtet higjieno-sanitare.