Një humbje që djeg shumë për trajnerin e Italisë, Antonio Conte. Drejtuesi i stolit të kaltër shpreh krenarinë për 23 lojtarët e tij, duke theksuar se ata treguan dëshirë dhe e respektuan fanellën duke dhënë maksimumin. Në vijim, ai shton se skuadra dha gjithçka kundër Gjermanisë dhe disfata nga lotaria e 11 metërshave e shton dhimbjen, sepse Italia kishte shanse reale për të ecur përpara.

“Nuk më pëlqen të dal në përfundime tani, por përjetuam një eksperiencë të pabesueshme. Kjo nuk është një lamtumirë nga kombëtarja. Nuk jam ndier asnjëherë i mbështetur në këtë projekt, por në krah ka pasur përherë kreun e federatës. Më dukej sikur po shkoja në luftë i vetëm dhe shpresoj që Kombëtares t’i kushtohet më shumë vëmendje të në ardhmen”.

Një deklaratë deri diku polemizuese që shpjegon periudhën e vështirë të Contes në krye të Italisë. Në krahun tjetër, trajneri Joachim Low e pranoi se 11 metërshat ishin një moment dramatik. “Nuk mund ta kritikoj skuadrën time për asgjë pasi ishim më të mirët për 120 minuta. Nga penalltitë gabuan lojtarët më ekspertë dhe shënuan më të rinjtë. Italia nuk do të na kishte shënuar kurrë një gol me aksion, por tani duhet të mensojmë për t’u rikuperuar sa më shpejt pasi të enjten na pret një tjetër sfidë shumë e vështirë”, u shpreh Low.