Ristrukturimi i 35 degëve të PD-së të futur në zgjedhje pas vendimit të kryetarit të opozitës Lulzim Basha, edhe pse duhet të përfundonte më 30 qershor, nuk është mbyllur ende.
Sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike Edi Paloka, i cili drejton procesin në Tiranë, ku 15 degë janë në zgjedhje, thotë se afatet janë të parëndësishme, duke vënë theksin te cilësia.
“Për ne nuk janë të rëndësishme afatet se sa cilësia e punës që bëjmë. Nëse do nisemi thjesht nga afatet dhe t’i lëmë punët pa bërë, nuk e di çfarë arrijmë”, tha Paloka për “OraNews”.
14 degë të reja krijohen në të gjithë vendin, ndërsa në 21 të tjera zgjedhjet do të mbahen si pasojë e një seri faktorësh, por ndër më kryesoret mësohet të ketë qenë rezultati në zgjedhjet lokale dhe mosfunksionimi i strukturave.
I gjithë procesi që konsiderohet i rëndësishëm për demokracinë e brendshme të PD-së, është ndjekur me vëmendje nga opinioni publik. Ndër të komentuarat është kandidatura e ish-drejtuesit të SHIK-ut Arben Sefgjini, për kryetar të degës 7 në Tiranë, i njohur për përballjen me drejtësinë për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.
“Më të errët se këta që ka në parlament nga krahu i maxhorancës duke filluar nga Kryetari i qeverisë unë nuk shoh në këtë vend, kështu që unë nuk e di kush quhet me të shkuar të errët, përdhunuesi që ka bashkinë e Kavajës, vrasësi që është deputet në Laç, trafikantët e tjerë që figurojnë në listat e Edi Ramës apo dikush që është akuzuar për një ngjarje të cilën ai e ka mohuar dhe gjykata i ka dhënë të drejtë”, u shpreh Paloka.
Mbetet për t’u parë me kujdes edhe se si do të shkojë ky proces në degën e Durrësit, ku kryetari aktual i saj, Osman Stafa, është tërësisht kundra këtyre zgjedhjeve dhe ka deklaruar se nuk do që të lëshojë karrigen.





